Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar sot përsëri lidhur me kallëzimin penal të depozituar ndaj Belinda Ballukut lidhur me tenderin për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës, me vlerë 8.13 milionë euro. Sipas kallëzimit të Bardhit, në këtë projekt Belinda Balluku ka fryrë kostot, duke i shkaktuar një dëm prej 5 milion euro Buxhetit të Shtetit. Duke shfrytëzuar një tender të njëjtë të realizuar nga vetë SPAK për ndërtimin në godinën e tij të paneleve diellore, konstatohet se vlera e projektit për të njëjtin shërbim është afërsisht dy herë me e ulët se i njëjti shërbim i prokuruar nga Belinda Balluku në projektin e Digës së Zadejës. Për Gazment Bardhin kjo provon akuzën e bërë prej tij për fryrje të kostove dhe vjedhjen e të paktën 5 milion euro nga Belinda Balluku.
Në rrjetin e tij social Facebook, duke krahasuar kostot të të dyjave projekteve, Gazment Bardhi shprehet se nëse tenderi për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës do të zhvillohej nga SPAK, atëherë ky projekt do t’i kushtonte Buxhetit të Shtetit 3.6 milionë euro ose 4.5 milionë euro më pak se sa i ka kushtuar dyshes korruptive Balluku-Verdho, duke provuar kështu dëmin e rëndë që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit, parave të taksaguesve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të kompanive private të lidhura me këtë dyshe.
