Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) miratoi një plan të gjerë masash, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore, me qëllim përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe infrastrukturës në gjykatat e vendit. Ky vendim vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga gjyqtarët gjatë takimeve me Këshillin dhe synon të adresojë çështjet konkrete që lidhen me sigurinë, administrimin dhe standardizimin e procedurave në të gjitha nivelet e gjyqësorit.
Në njoftim theksohet se, pas analizimit të informacionit të mbledhur dhe identifikimit të nevojave konkrete, do të ngrihet një grup ndërinstitucional pune me qëllim:
i) të adresojë ndryshimet ligjore dhe nënligjore për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin dhe çdo përdorues të gjykatës;
ii) të sigurojë praninë e punonjësve të trajnuar të sigurisë ose pjesëtarë të Policisë së Shtetit;
iii) të miratojë protokolle dhe procedura standarde të sigurisë për secilën gjykatë.
Në fokus të vendimeve të KLGJ-së është edhe ndërtimi i godinave të reja gjyqësore për të përmirësuar kushtet e punës dhe shërbimit ndaj publikut. Është vendosur bashkëpunimi me pushtetin vendor për ndërtimin e 8 gjykatave të shkallës së parë, si dhe të godinave për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Në mbledhjen e datës 10.10.2025, KLGJ vendosi të hartojë një plan masash që përfshin:
- Mbledhjen dhe analizimin e informacionit të detajuar nga secila gjykatë, për masat e marra dhe kërkesat drejtuar Këshillit nga Kryetarët, Zëvendëskryetarët ose Këshillat e Gjykatave gjatë viteve 2023–2025, në lidhje me menaxhimin e sigurisë.
- Vlerësimin e kushteve ekzistuese të shërbimit dhe infrastrukturës së sigurisë, përfshirë pajisjet si skanera, detektorë, kamera dhe pajisje të tjera, me qëllim standardizimin e procedurave dhe trajnimin e personelit për menaxhimin e situatave të sigurisë.
- Ngritjen e një grupi ndërinstitucional me përfaqësues nga KLGJ, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, për hartimin e masave të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor.
- Përputhjen e kuadrit ligjor me praktikat më të mira ndërkombëtare për sigurinë e gjyqtarëve, stafit mbështetës dhe përdoruesve të gjykatave.
- Marrjen e masave për ndërtimin e një infrastrukture adekuate në bashkëpunim me këshillat e gjykatave dhe pushtetin vendor, duke përfshirë ndërtimin e 8 godinave të gjykatave të shkallës së parë dhe të godinave për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.
- Nxitjen e gjykatave që të zbatojnë projektet e aprovuara, për të garantuar që fondet të përdoren brenda vitit buxhetor.
- Kalimin e pronësisë së godinave ekzistuese dhe atyre të reja në pronësi të KLGJ, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.
- Analizimin e raportimeve periodike të gjykatave për të rritur performancën dhe përkushtimin profesional dhe moral të magjistratëve.
- Ngritjen e grupeve të punës për propozime ndryshimesh ligjore në ligjin nr. 96/2016 dhe ligjin nr. 98/2016, me pjesëmarrjen e anëtarëve të KLGJ, gjyqtarëve nga të tre shkallët e gjyqësorit dhe stafin administrativ.
- Bashkëpunimin me AKEP dhe AMA për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, mediat online dhe platforma të tjera, si dhe marrjen e masave konkrete brenda kompetencave ligjore.
- Nisjen e procedurës për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja” dhe dërgimin e propozimit për ndarjen e titullit “Dëshmor i Atdheut” për gjyqtarin e rënë në krye të detyrës.
KLGJ konfirmon përkushtimin e tij për të garantuar një sistem drejtësie të sigurt, të pavarur dhe funksional, në shërbim të qytetarëve dhe sundimit të ligjit.
