Vrasja e Behar Sofisë në Tiranë, Gjykata e Lartë vulos 127 vite burg për grupin kriminal

Data

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimet për grupin kriminal që ekzekutoi Behar Sofinë në mes të Tiranës, duke rrëzuar rekursin e pesë të dënuarve për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 25 shkurt 2021 pranë Piramidës.

Kolegji Penal konfirmoi vendimin e Apelit të Posaçëm, duke dënuar me nga 30 vite burg katër nga të pandehurit: Xhuljano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza. Ndërkohë, për ekzekutorin e vrasjes, Ernejt Shyti, i cili përfitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, u la në fuqi dënimi me 7 vite burg.

Në total, dënimet për këtë dosje arrijnë në 127 vite heqje lirie. Të pandehurit u shpallën fajtorë për “Vrasje me paramendim”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtje pa leje dhe prodhim armësh”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve, porositësi dhe financuesi i vrasjes, Jemin Shera, është dënuar me 35 vite burg në mungesë. Autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen dhe arrestimin e tij.

Behar Sofia u ekzekutua me armë zjarri në mes të kryeqytetit, pak çaste pasi kishte dalë nga një lokal. Hetimet zbuluan se ekzekutori Ernejt Shyti ishte paguar me 50 mijë euro për kryerjen e vrasjes. Pas arrestimit, ai bashkëpunoi me drejtësinë, duke zbardhur rolin e pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal.

Vendimi i Gjykatës së Lartë e bën përfundimtare çështjen, duke vulosur dënimet për një nga atentatet më të bujshme të ndodhura në zemër të Tiranës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related