Një tragjedi e rëndë është shënuar në Detin Egje, ku të paktën 15 emigrantë kanë humbur jetën pas përplasjes së një motoskafi që i transportonte ata me një anije patrullimi të rojës bregdetare greke, pranë ishullit Kios.
Sipas autoriteteve, në vendngjarje u zhvillua menjëherë një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi, ku u përfshinë anije patrullimi, një helikopter dhe zhytës, për të gjetur persona të tjerë që mund të jenë zhdukur në det.
Nga uji janë nxjerrë trupat e 14 viktimave, 11 burra dhe tre gra, ndërsa 25 emigrantë të tjerë, mes tyre rreth 11 fëmijë, janë shpëtuar dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Një grua e plagosur rëndë ka ndërruar jetë më pas në spital, duke e çuar numrin total të viktimave në 15.
Në incident janë lënduar edhe dy oficerë të rojës bregdetare greke. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e përplasjes, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në bordin e motoskafit në momentin e ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe rikthen në vëmendje rrezikun ekstrem që përballin emigrantët gjatë udhëtimeve të paligjshme drejt Evropës.
