Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka përgëzuar strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për zbardhjen e vrasjes së 67-vjeçarit Hysni Ymeri, e ndodhur më 29 dhjetor në Shkodër, si pasojë e një shpërthimi me lëndë eksplozive.
Në deklaratën e tij, Proda vlerësoi punën profesionale dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, duke theksuar se hetimi u zhvillua në mënyrë të koordinuar dhe këmbëngulëse.
Ai nënvizoi se ky rast është një shembull i qartë i seriozitetit dhe efikasitetit të strukturave ligjzbatuese në luftën kundër kriminalitetit, veçanërisht ndaj ngjarjeve të rënda të kryera me përdorimin e lëndëve shpërthyese të komanduar në distancë.
Sipas Prodas, rezultate të tilla shërbejnë për të dekurajuar veprimtarinë kriminale dhe për të forcuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila mbetet e angazhuar në garantimin e rendit, sigurisë, jetës dhe pronës së qytetarëve.
