Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra pas zhvillimeve të fundit gjatë protestës së opozitës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për dhunë shtetërore dhe për përdorimin e policisë kundër qytetarëve.
Në një deklaratë nga selia blu, Berisha i bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit që të mos kthehen, sipas tij, në “ushtarë dhe shërbëtorë të kryeministrit”, duke i ftuar të zbatojnë ligjin dhe jo urdhra politikë.
“Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu pa ligj dhe pa moral. Mos u bëni ushtarë të një kryeministri që çdo tullë të shtëpisë së tij e ka të vjedhur”, deklaroi Berisha.
Ai paralajmëroi se përballja e opozitës nuk do të jetë vetëm me policinë, por drejtpërdrejt me kryeministrin, duke theksuar se protesta është futur në fazën përfundimtare të saj.
Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve të shoqëruar nga policia, duke i cilësuar ata si qytetarë paqësorë që, sipas tij, nuk kanë kryer asnjë akt të paligjshëm dhe janë ndaluar vetëm për arsye politike.
“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë. Ata janë ndaluar vetëm si akt urrejtjeje dhe me urdhër të drejtpërdrejtë politik”, u shpreh ai.
Në fund të deklaratës, Berisha përdori një gjuhë të fortë ndaj kryeministrit, duke theksuar se, sipas tij, Rama nuk do të ketë më asnjë rrugë shpëtimi politik.
