“Ishte më keq se një film horror” – Dëshmia tronditëse e të riut pas zjarrit me 47 viktima në Crans-Montana

Data

Pak pas orës 01:30 të mëngjesit të Vitit të Ri, një zjarr i fuqishëm përfshiu barin “Le Constellation” në resortin e skive Crans-Montana, duke shkaktuar 47 viktima dhe mbi 115 të plagosur.

Dëshmia e një 19-vjeçari italian, Gianni, student i inxhinierisë mekanike në Gjenevë, ka tronditur opinionin publik. Ai ndodhej pranë vendit të ngjarjes dhe mbërriti aty përpara forcave të emergjencës, pasi u njoftua nga një shoqe që kishte qenë në bar pak minuta pas shpërthimit.

“Sapo dëgjova për shpërthimet dhe pashë flakët, e kuptova se ishte diçka shumë serioze”, rrëfen ai. Sipas Giannit, situata ishte kaotike: persona të plagosur dhe të djegur shtriheshin përtokë, ndërsa ndihma mjekësore mungonte në minutat e para.

Kalimtarët u detyruan të improvizonin barela me pajisje nga lokalet përreth për të transportuar të plagosurit. “Në disa raste na duhej të linim njerëzit për të shpëtuar të tjerë që ishin ende brenda”, tregon ai, duke përshkruar momentet dramatike të shpëtimit.

Operacionet vijuan deri rreth orës 05:00 të mëngjesit, në temperatura që zbritën deri në –11°C. Gianni thotë se kërkonte batanije në baret pranë për të mbrojtur të plagosurit nga i ftohti, ndërsa dëmtimet e rënda e bënin shumë të vështirë identifikimin e viktimave.

Ai beson se ndihma e tij ka shpëtuar jetë, por shprehet i zhgënjyer për mungesën e mbështetjes psikologjike apo mjekësore pas ngjarjes, edhe pse kishte qenë i ekspozuar ndaj tymit. “Zjarrfikësit po qanin. Ishte më keq se një film horror. Adrenalina më mbajti gjallë gjithë natën, por ende nuk e kam kuptuar plotësisht çfarë ndodhi”, thotë ai.

Autoritetet zvicerane kanë bërë me dije se kjo është një nga tragjeditë më të rënda të dekadave të fundit në zonë, ndërsa hetimet për shkaqet e zjarrit vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related