Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama shtoi sot dozën e sulmeve ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme. Ashtu siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, zoti Rama deklaroi se partia e tij nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standarteve, mbrojtja e të cilave tha ai do të jetë në qendër të mandatit të ardhshëm, në rast të fitores së zgjedhjeve. Sipas tij ka shenja të qartë të një republike prokurorësh të cilat tha ai, duhen frenuar.
Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme rezultojnë sipas të gjitha sondazheve, të jenë institucionet që gëzojnë besimin më të madh të publikut. Edhe përmirësimi i pozicionit të Shqipërisë në vlerësimin e Transparency International, i përmendur dje dhe sot si sukses nga ana e kryeministrit Edi Rama, i detyrohet sipas raportit, po veprimtarisë së SPAK-ut.
Por arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ka ndryshuar qartazi qëndrimin publik të shumicës. “As dje, as sot dhe as nesër, deri kur unë do të jem në krye të kësaj force politike të paktën, kjo forcë politike nuk do të marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia, por ama, ndryshe nga deri dje, sot e tutje kjo forcë politike nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standardeve dhe brutalitetit të kujtdo qoftë”, deklaroi zoti Rama, gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar socialist.
Megjithatë në rastin e zotit Veliaj, zoti Rama nuk hezitoi të dilte në vlerësime lidhur me gjetjet e hetimeve të Prokurorisë. “Në atë roman 400 faqesh nuk ka prova. Ka vetëm një tregim shumë të ngarkuar dhe të ndërlikuar me gjithfarë lloj personazhesh shkak-pasojë, por nuk ka prova”, u shpreh ai.
Ndërsa më vonë në një postim në rrjetin social “X”, ai e konsideroi arbitrare burgosjen pa gjyq të kryebashkiakut, duke shkruar se gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë.
