Emërimi i Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën është pritur me gëzim nga Dioqeza Prizren – Prishtinë, thonë nga Ipeshkvia e Kosovës. Ky emërim u bë nga Papa Leoni XIV, më 20 maj, vetëm 12 ditë pasi ai mori timonin e Selisë së Shenjtë në Vatikan, pas vdekjes së Papa Françeskut, më 25 prill të këtij viti.l
Don Shan Zefi, vikar i Ipeshkvisë së Kosovës, thotë se emërimi i delegatit të ri apostolik për Kosovën ndodhi në një kohë të shkurtër nga papa i ri dhe se ky është një sinjal i mirë për vendin.
“…sepse edhe ky papë, qysh në fillimin e pontifikatit të tij, përnjëherë merret me çështjen e Kosovës. Prandaj edhe e ka emëruar këtë delegat për Kosovën, që e ka selinë në Lubjanë”, thotë Don Shan Zefi për Radion Evropa e Lirë.
Por, roli i Luigji Biankos nuk do të jetë krejtësisht i njëjtë në Slloveni dhe Kosovë.
Nunc apostolik është përfaqësuesi diplomatik më i lartë i Vatikanit në një shtet të caktuar – ngjashëm me ambasadorët e shteteve të tjera, si dhe përfaqësues i Papës pranë kishës katolike lokale.
