Një grup pune i ngritur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të inspektojë Teatrin Kombëtar dhe do të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit reagoi së fundmi në lidhje me denoncimin në media të një rasti të dyshuar keqmenaxhimi në Teatrin Kombëtar, institucion i cili drejtohet nga Altin Basha.
Përmes një reagimi, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) bëri me dije se ka ngritur një grup pune, i cili do të inspektojë situatën dhe aludimet e ngritura lidhur me disa aspekte të produksionit në Teatrin Kombëtar. “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndjekur me vëmendje, sikurse me shqetësim, zhvillimet e fundit mbi kronikat e transmetuara nga një emision investigativ lidhur me menaxhimin në Teatrin Kombëtar.
Për të garantuar transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, më datë 23.12.2024 ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të inspektuar situatën dhe aludimet e ngritura lidhur me disa aspekte të produksionit në Teatrin Kombëtar. Pas shqyrtimit me detaje të të gjithë dokumentacionit dhe fakteve të raportuara, do të vlerësohet përputhshmëria dhe do të merren masat ligjore të nevojshme”, thuhet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në reagimin e saj.
