Presidenti amerikan Donald Trump ka treguar përmes një postimi në platformën Truth Social, se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump tha se pati një bisedë shumë të gjatë dhe produktive, ndërsa bëri me dije se diskutuan për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, si dhe për Inteligjencën Artificiale.
Trump shton se ai dhe Putin reflektuan mbi faktin se SHBA-ja dhe Rusia luftuan me sukses së bashku gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që prisnin me padurim “përfitimin e madh që do të kemi një ditë duke punuar së bashku”.
Trump gjithashtu thotë se “ranë dakord se duan të ndalojnë miliona vdekje që po ndodhin në Luftën me Rusinë/Ukrainë”.
“Ne ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitën e kombeve të njëri-tjetrit. Ne kemi rënë gjithashtu dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat dhe do të fillojmë duke telefonuar Presidentin Volodymyr Zelensky, të Ukrainës, për ta informuar atë për bisedën, diçka që do të bëj tani”, shprehet ai.
