Në Shqipëri komisioni i posaçëm parlamentar kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit, ka nxjerrë në pah mjaft problematika në këtë drejtim. Pas raportimeve të disa drejtuesve të institucioneve të rëndësishme në vend, është konstatuar se ka mungesë koordinimi mes tyre mbi përgjegjësitë në lidhje me dezinformimin, si dhe rrezik në rritje të ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në ekonomi dhe stektorë të tjerë të rëndësishëm. Analistë të zhvillimeve ndërkombëtare, mendojnë se kjo situatë lë hapësira për cënimin e sigurisë në vend.
Komisioni i posaçëm parlamentar që u ngrit së fundi, për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike, evidenton mjaft probleme sidomos kur bëhet fjalë për identifikimin apo adresimin e tyre. Pas agresionit rus në Ukrainë fushatat dezinformuese dhe sulmet kibernetike u shtuan në vendet që mbështesin Ukrainën.
Sipas të dhënave që vijnë nga komisioni i posaçëm edhe natyra e sulmeve është zgjeruar. Së fundi një prej tyre synonte shkatërrimin e gjithë shërbimeve të një prej institucioneve shëndetësore publike në vend. Kryetari i komisionit në fjalë Erion Braçe në një intervistë për Zërin e Amerikës veçoi me shqetësim se janë vënë re raste të ndërhyrjeve të huaja edhe në disa sektorë të ekonomisë.
“Fill pas luftës në Ukrainë një pjesë e madhe e operatorëve ekonomikë rus me qëllim për t’iu shmangur sanksioneve janë regjistruar në vendet e BE-së dhe prej andej vazhdojnë aktivitetin, ndërkohë që origjinën e aksionerëve e kanë në Rusi. Ky fenomen është vërejtur dhe vendon tonë, qoftë në pronarë përfitues të drejtpërdrejtë apo pronarë përfitues të nënkontraktorëve të operatorëve ekonomikë që operojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Për fat të keq kemi moskoordinim mes institucioneve përsa u takon pronarëve përfitues. Të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk përputhen me të dhënat që kanë institucionet e tjera përsa i takon pronarëve përfitues”- thotë Erion Braçe- Kryetar i Komisionit të posaçëm kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit.
Zëri i Amerikës, pyeti dhe QKB për këtë shqetësim. Në përgjigjen me shkrim ky institucion sqaron se vazhdimisht dërgon kontributin e tij pranë Komisionit të dezinforimimit, me të dhëna dhe analiza për pronarët përfitues të vendeve dashakeqëse.
