Mbi 30 punonjës të ndërmarrjes së pastrimit për zonat rurale në bashkinë e Fierit njoftuan më 18 nëntor nisjen e një greve pa afat dhe listuan si kërkesa rritjen e pagës, kushte më të mira të punës dhe respektim të disa të drejtave, përfshi lejet vjetore që thanë se nuk i merrnin.
Por vetëm një ditë pas shpalljes së grevës pa afat, punonjësit e pastrimit të zonave rurale në bashkinë e Fierit u rikthyen në punë pa iu plotësuar kërkesat dhe pa u shqyrtuar pretendimet e ngritura.
Një nga punonjësit, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit për shkak të frikës për vendin e punës, tha se greva dështoi që të nesërmen, pasi punonjësit u kontaktuan nga zyrtarë të bashkisë që premtuan kushte më të mira dhe një pagë të 13-të. Ai tha gjithashtu se njëri prej organizatorëve u penalizua, duke u transferuar në turnin e natës.
“Kur vajta ditën tjetër te parku (vendparkimi i automjeteve të pastrimit të bashkisë ku nisi greva e punonjësve), nuk ishte asnjë nga kolegët, ishin shpërndarë në punë. I kishin marrë në telefon që atë natë. Kështu u detyrova edhe unë të nis punën, se e kemi bukën e gojës,” tha punonjësi.
“Ta gjejnë kleçkën këta e të heqin nga puna”, shtoi ai duke iu referuar eprorëve.
Një tjetër punonjës, pjesëmarrës i grevës i tha BIRN se punonjësit ishin takuar ditën tjetër me zyrtarët e bashkisë, ku u ishte premtuar se do t’u jepet paga e 13-të dhe do të furnizoheshin me mjete dhe veshje shtesë për të përmirësuar kushtet e punës.
“Jo, ne e ndaluam grevën se ata na premtuan pagë të 13-të. Na thanë që do sjellin veshje dhe pajisje të reja dhe do përmirësojnë kushtet e punës. Tani s’e dimë kur do na e hedhin pagën këtë vit apo nga fillimin e vitit tjetër,” tha Enver Licaj, punonjës i Ndërmarrjes së Pastrimit në Bashkinë e Fierit
Emiljano Skenda, drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit në bashki, i pranon problemet e denoncuara nga punonjësit, por tha se ata po përpiqeshin që t’u jepnin zgjidhje.
“Ajo që kemi bërë menjëherë pas protestës se punonjësve, e cila duhet ta theksoj, mund të ishte shmangur nëse punëtorët do të drejtoheshin fillimisht në drejtori sepse do t’i kishim dhënë zgjidhje problematikës, është se kemi shlyer dhe po shlyejmë, pagesat e orëve shtesë dhe lejet vjetore të prapambetura,” tha Skenda.
