Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestave të qytetarëve të Vlorës, të cilët prej pesë ditësh janë pa furnizim me ujë të pijshëm. Në një reagim publik, Rama ia ka atribuar problemin qeverisjeve të mëparshme, duke theksuar se defekti lidhet me pjesë hidraulike të instaluara jashtë standardeve në vitet 2009–2010, të cilat nuk kanë përballuar më presionin e ujit.
Sipas tij, pjesët e reja hidraulike janë nisur nga Stambolli dhe pritet të mbërrijnë brenda ditës, për të mundësuar riparimin e defektit të rëndë në linjën kryesore të ujësjellësit. Kryeministri ka vlerësuar punën e punonjësve të ujësjellësit, duke theksuar se ata po punojnë pa ndërprerje prej disa ditësh për të rikthyer furnizimin normal.
Në fund të reagimit, Rama u ka kërkuar ndjesë qytetarëve të Vlorës për mungesën e ujit, duke e cilësuar situatën si një “peripeci të pamerituar”, ndërsa shprehu besimin se problemi do të zgjidhet sapo të kryhet ndërhyrja teknike përfundimtare.
