“Fol Enver të lumtë goja”- Ekzekutimi i Ballukut, Dumes dhe Çakos! Si diktatori i vuri gjeneralët të këndonin para se t’i pushkatonte! Trupat u varrosën në….

Data

PROF. DR. ELMAS LECI

Po, Enver Hoxha i vuri gjeneralët të këndonin para pushkatimit. Ishte viti 1973 kur ai, Komandanti po vërtiste nëpër duar materialin e të quajturit Arti Ushtarak Popullor, përgatitur nga oficerë madhorë dhe të lartë sipas porosisë së tij. Pasi ia kishin dërguar materialin e Artit, ai po e vërtiste atë shumë kohë nëpër duar, por u a dërgonte edhe sa njërit e tjetrit, sa Hysni Kapos e Mehmet Shehut. E në ato ditë ndërsa merrej “seriozisht” me lëndën që zbërthenin Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, që i kishin leçitur shkencëtarët më të mirë të Ushtrisë me në krye udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes Beqir Ballukun ministër, Petrit Dumen Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Hito Çakon Drejtor Politik i Ushtrisë etj., Enver Hoxhës iu dha rasti të shkonte në një ceremoni ushtarake në kuadrin e festës së atëhershme të Ushtrisë, 10 korrikut, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve që mbante emrin e tij.

Aktiviteti si rrallë ndonjëherë u bë ne një ambient të mbyllur, tregon një dëshmitar okular pjesëmarrës e organizator protokollar i pritjes së Komandantit të Përgjithshëm, në Palestrën e Shkollës Ushtarake. Përballë podiumit, ku për nder të Komandantit do të performonte grupi artistik, tregonte po ky dëshmitar okular, (që nuk dëshironte ti vendosja emrin nga që ende janë edhe nostalgjikë por kjo pak rëndësi ka), ishin vendosur tri tavolina. Në të mesit, ku para saj do rrinte Enveri, kuptohet djathtas e hu e Hysni Kapo dhe nga ana tjetër Beqir Balliku e Ramiz Alia. Në mes të tavolinës për Komandantin e Përgjithshëm ishte e vendosur edhe një tufë me lule, ndërsa nga ana e djathtë e Enverit ishte tavolina me gjeneralët e Ushtrisë (pa grada në atë kohë por që thirreshin gjithnjë gjeneralë), e nga ana tjetër ishte tavolina me trupin komandues të shkollave ushtarake, “Skenderbej”, Akademisë “Mehmet Shehu” dhe vetë Shkollës së Bashkuar të Oficerëve që mbante emrin “Enver Hoxha”.

Në mes të aktivitetit, Enver Hoxha ia bën me shenjë regjisorit të shfaqjes artistike që t’i afrohej. Ai, me që ishte ushtarak, iu paraqit ushtarakisht Komandantit të Përgjithshëm, ndërsa Enveri lëvizi pak nga vendi, zgjati dorën e majtë mbi tufën e luleve që ishte mbi tavolinë, duke e mënjanuar pak apo mbuluar me dorë (me vonë u mor vesh se brenda luleve ishte i maskuar një mikrofon, që siç duket ai e dinte ose e nuhaste) dhe me dorën e djathtë bëri shenjë përsëri që t’i afrohej më shumë regjisori ushtarak, pasi u kuptua se diçka atij do t’i fliste në vesh. Dhe ashtu ndodhi. E çfarë mendoni se i tha?! “M’i bëj ato “gjeneralët” (që ishin në tavolinën ngjitur) të ia marrin këngës”! Kaq ishte “urdhri” i tij. Me marifet, regjisori i koncertit, që qe një njeri i zgjuar, krijoi situatën e ndezur në skenë dhe gjeneralët (që ishin pothuajse të gjithë lebër), shpërthyen me këngën: /Fol Enver të lumtë goja/… Enveri u duk se u kënaq shumë. Ku ta dinin të shkretët gjeneralë se po i këndonin vendimit të tij për pushkatimin e tyre, të tre kryesorëve Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, ndërsa me burgime të gjithë ish-gjeneralët e tjerë pa përjashtim. Molla e sherrit u gjet. Arti Ushtarak, e siç u përdor zhargon ahere, ai Arti Ushtarak Popullor, ishte sabotuar. Të qe e vërtetë?!

Gjeneralët e kishin qepur mirë e mirë atë, tekstin e Artit Ushtarak Popullor sipas parimeve e koncepteve të ndodhjes të ndonjë agresioni modern ushtarak ndaj Shqipërisë. A kishte këllqe vallë Enveri ta gjykonte atë, kur në të shtroheshin e zgjidheshin teorikisht e praktikisht çështjet e mbrojtjes të bazuar në akademizmin më të mirë të gjeneralëve tanë, marrë e mbrojtur nga ata, shumica mbaruar në ish Bashkimin Sovjetik me medalje ari Akademitë “Frunxe”, “Voroshillov” etj etj., apo që ishin me një e nga dy akademi?! Vështirë, pavarë sisht se Komandanti “mburrej” se kishte bërë “shkollën e luftës e akademinë e malit”, kur dihej botërisht se ai kishte bërë vetëm shkollën e mesme, Liceun e Korçës, ndërsa kohën e universitetit në Monpelje të Francës e kishte kaluar pa dhënë asnjë provim e mandej kabareve të Parisit. Pikërisht shkollimit të gjeneralëve tanë, Komandanti në koshiencën e pa shprehur, u trembej. Madje, ndonëse ai u hoqi gradat gjeneralëve e atyre pa grada përsëri u thirreshin gjeneralë, fakt që Enveri e kishte mësuar dhe ishte bërë një shqetësim i madh për të. A shkonte që Komandanti Suprem, vetëm me shkollë të mesme dhe oficerët e tij, gjeneralë me nga një e dy akademi, mandej të mbaruar pjesa më e madhe e tyre me “medalje ari” p.sh. si Gjin Marku, Petrit Dume e të tjerë?!

Kjo, mendohet se nuk e linte “rehat” Enverin, që edhe ai si gradë ushtarake mbante gradën më të lartë atë të gjeneralit të armatës, pa një kurs ushtarak, mandej edhe pa shkollë të lartë universitare?! Kjo përballë gjeneralëve tanë me një e dy akademi, ja kishte prishur ndër vite terezinë e pa shprehur. Dhe ajo që e frikësoi deri në palcë Enver Hoxhën ishin ngjarjet në disa vende, ku kolonelët e gjeneralët kishin bërë puçe ndaj udhëheqësve të atyre vendeve dhe kishin marrë pushtetin.

Ishin vitet ’60-’70-të, ishin ngjarjet e jashtme dhe të brendshme, që po i trokisnin Enver Hoxhës për lënien e pushtetit ose siç e mendonte ai, do t’ia merrnin atë edhe me dhunë, ashtu si të gjithë homologëve të tij në të gjitha vendet e Europës Lindore, ngjarje që ndodhën pas vdekjes së Stalinit.

Dhe fryma e ndryshimeve kishte ardhur e trokitur edhe deri te ne në Tiranë. Mjafton të kujtojmë Konferencën e partisë të Tiranës të vitit 1956, e cila është treguesi më i qartë i pasigurisë së Enver Hoxhës, gjë që e ndjeu kryesisht nga ushtarakët madhorë e të lartë. Shfletojmë historinë e kaluar, qoftë edhe ashtu e manipuluar siç është dhe për të, për atë Konferencën e Tiranës kemi nga ai disa koka të prera ushtarakësh të lartë e madhorë si Iliaz Ahmeti etj. Pse-ja?! Se u ngritën e denoncuan me guxim Enver Hoxhën për “kultin e individit” dhe favoret e “bllokut”. Enveri, atje në atë Konferencë, e pa veten shumë ngushtë e madje situatën pisk, ndaj e rrethoi Konferencën e Tiranës me tanke e artileri e nga ana tjetër lëshoi mbi kundërshtarët e tij kritikues “qentë” e Sigurimit të Shtetit, të cilët gjithë ato net të Konferencës arrestuan “kryengritësit”. Përsëri bëjmë pyetjen: Përse?! Sepse Enver Hoxhës po i ikte pushteti nga duart.

Ndonëse nga Konferenca e Tiranës ai “hëngri” kokat e para të Ushtrisë si gjeneral major Gjin Marku, gjeneral major Dali Ndreu, gjeneral major Nexhip Vinçani, gjeneral major Hulusi Spahiu, gjeneral major Tahir Kadare dhe Kolonelët Pëllumb Dishnica, Kadri Hoxha, Iljaz Ahmeti e me dhjetëra të tjerë, por thelbësorja fryma e saj e “pranverës” lindore mbeti. Dhe nuk mund të thuhet se këtë Enver Hoxha nuk e dinte apo se e harroi. Në asnjë mënyrë. Me ato masa drakoniane që mori, madje e dinte mirë se ushtarakët çoç mund të bënin, veçanërisht pasi u hoqi gradat dhe e bëri Ushtrinë kashte e koqe.

Por para se të ndodhnin këto gjëra “revolucionarizuese” ne ende nuk ishim divorcuar me “sovjetikët e rinj”, pikërisht ahere erdhi vetë në Shqipëri në vitin 1959 Nikita Hrushovi, me objeksionin e fshehtë kryesor (pavarësisht se nuk është thënë) për ta zëvendësuar Enver Hoxhën me një tjetër, siç ishte bërë në të gjitha demokracitë lindore, por nuk ia doli se ne (siç kanë treguar ngjarjet para dhe pas demokracisë) nuk “i japim kollaj udhëheqësit”. Nga koha e Hrushovit e deri në pas ’70-n, zjarrin me “dashurinë ndaj Enverit”, ai e mbajti ndezur vetë me fjalën në mbledhjen e 81 partive dhe përballjen me sovjetikët dhe siç tregojnë analizat e deduksionet për ngjarjet, asnjëherë nuk e harroi inatin e akumuluar ndaj gjeneralëve, që pas dënimit të një pjese të tyre, të tjerëve në Ushtri me një fjalim “revolucionarizimi” u hoqi gradat e i bëri si çobenj dhish pa grada, pa hierarki, pa reparte, duke i shkërmoqur repartet majë maleve e kodrave me nga 3-4 ushtarë. S’bënin dot me puçe se kazermat nuk kishin ushtare, as oficerë në masë të grupuar ku ai shihte rrezikshmërinë.

Ndonëse edhe kështu kaloi disa kohë, përsëri nuk u a kishte besën oficerëve madhorë e të lartë, ndaj “shpiku” atë të mallkuar Art Ushtarak Popullor, tezat e tij që sipas Komandantit i “sabotuan” gjeneralët pa grada, ndaj kur kish nëpër duar atë “materialin e zi”, që për të e kishte mbledhur mendjen se “ishte material sabotues” e më keq akoma “tradhti e lartë ndaj Atdheut”, pra para ekzekutimit i vuri gjeneralët me regji, të këndonin para tij labçe në palestrën e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve” këngën/Komandanti me partinë, prijnë si ylli i karvanit/ Ecim para dhe marshojmë, prin i pari Komandanti/. Thonë se Enveri u “kënaq” me atë këngë e shkri gazit por përbrenda siç treguan ngjarjet e më vonshme i u shtua marazi.

Nga kjo nuk vonoi e ai shpërtheu bombën, “puç ushtarak” i gjeneralëve ndaj udhëheqjes së partisë. Dhe cili ishte në krye të puçit, gjenerali tashmë pa grada (jemi në korrik-gushtin e 1974-s) ministri i mbrojtjes Beqir Balluku. Tamam skenar puçesh me objeksionin se “tezat e mbrojtjes” ishin sabotuar. Por jo, nuk ishte çështje tezash, ishin oshilacionet e përgjithshme të neuroneve të Enver Hoxhës, i cili shihte “sulmin nga mullinjtë e erës” dhe ju preu kokat gjithë lidershipit të Ushtrisë.

Unë nuk mund të them se edhe nuk ka asgjëkund asnjë fakt (jam i bindur që janë manipuluar) që të më vërtetojë se vërtet gjeneralët deshën t’i bëjnë puç Enver Hoxhës. Po qëndron ajo tjetra, që Enver Hoxha e ndjente veten madhësisht inferior përballë gjeneralëve, e kjo e ka trembur atë që pas ngjarjeve kundër Stalinit në ish-Bashkimin Sovjetik. Kjo, nga të gjitha deduksionit që u bëj ngjarjeve, jam i bindur se qëndron në vendim marrjet makabre të Enver Hoxhës në Ushtri. Nuk gjej cinizëm më të madh të përzier me sadizmin e një përbindëshi kur gjeneralët i kish piketuar t’i ekzekutonte dhe i ve njëherë të këndojnë para tij, madje edhe këngë për të, pastaj i çon në varr, të cilët me vrasjen e Mehmet Shehut i nxjerr fshehurazi nga gërxhet e Linzës se dyshonte “a i kishin ekzekutuar sipas urdhrit të tij” dhe i dërgon skeletet e tyre e i rivarros larg në një fshat të Vlorës. Çfarë makabriteti?!

Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related