Vjosa Osmani: Mesazhi i qytetarëve është kompromisi, Kosova ka nevojë për bashkëpunim politik

Data

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare përcjell një mesazh të qartë nga qytetarët: nevojën për kompromis dhe bashkëpunim mes forcave politike për krijimin e institucioneve të reja.

Në një intervistë për CNN, Osmani theksoi se votuesit kanë treguar se nuk mbështesin një model politik të përqendruar te një individ i vetëm, por presin dialog dhe bashkëpunim për çështjet me interes kombëtar.

“Mendoj se zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë se ata duan kompromis mes forcave politike dhe nuk ka vend për një politikë të tipit ‘one man show’”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, Kosova ka dëshmuar ndër vite se rezultatet më të mira janë arritur kur forcat politike kanë lënë mënjanë dallimet dhe kanë bashkëpunuar për objektiva të përbashkëta shtetërore dhe kombëtare.

Osmani nënvizoi se kompromisi është i domosdoshëm për formimin e institucioneve të reja, duke përfshirë zgjedhjen e qeverisë, kryesisë së Kuvendit dhe presidentit të vendit.

“Ky mesazh duhet të lexohet siç duhet nga të gjitha forcat politike. Ne do të punojmë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të krijuar institucionet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që vendi të ecë përpara me vendime të rëndësishme për të ardhmen e tij”, deklaroi ajo.

Presidentja shtoi se kompromisi nuk duhet parë si dobësi apo si një element negativ në politikë, por si një vlerë demokratike që ndihmon në ndërtimin e stabilitetit institucional.

“Për të zgjedhur qeverinë e re, për të zgjedhur presidentin dhe drejtimin e parlamentit, do të nevojitet bashkëpunim. Kompromisi është një nga vlerat më të rëndësishme që mund të ekzistojë në politikë dhe ne jemi të gatshëm t’ia ofrojmë vendit tonë këtë frymë bashkëpunimi”, tha Osmani.

Deklaratat e saj vijnë në një moment kur skena politike kosovare po përballet me negociata intensive për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, ndërsa pritet që partitë politike të nisin diskutimet për ndërtimin e shumicës së ardhshme qeverisëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related