Komisioni Evropian ka konfirmuar se punimet e lidhura me projektin e debatueshëm në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë janë pezulluar dhe se autoritetet shqiptare janë angazhuar për kryerjen e një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis.
Deklarata u bë nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, gjatë një konference për mediat, ku ai u pyet mbi pritshmëritë e Brukselit ndaj Shqipërisë për zbatimin e standardeve mjedisore në kuadër të projekteve strategjike të investimeve.
Sipas Mercier, Komisioni po ndjek me vëmendje zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe ka ngritur shqetësime pranë Ministrisë së Mjedisit për mangësi të mundshme që lidhen me projektin.
“Ministri i Mjedisit është angazhuar se punimet e ndërtimit janë pezulluar dhe se do të realizohet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile. Pritshmëria jonë është që ky proces të zhvillohet në mënyrë transparente”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit.
Mercier theksoi gjithashtu se projekti është objekt i hetimeve të vazhdueshme nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), hetime që sipas tij shtrihen përtej çështjeve mjedisore.
Zyrtari evropian nënvizoi se shqetësimet e Komisionit nuk janë të reja. Ai kujtoi se edhe në raportet e mëparshme të zgjerimit është evidentuar fakti se zgjatja e ligjit për investimet strategjike ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje për ndikimin e mundshëm në mjedis, veçanërisht në zonat e mbrojtura.
Në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Komisioni rikujtoi se Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e saj me acquis-in evropian për mjedisin, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Habitatet, si dhe të përmbushë detyrimet që lidhen me Kapitullin 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike.
Sipas Komisionit Evropian, një nga kushtet kryesore për mbylljen e këtij kapitulli është aftësia e Shqipërisë për të menaxhuar dhe mbrojtur zonat e ardhshme të rrjetit Natura 2000, duke garantuar ruajtjen e habitateve natyrore dhe të specieve të mbrojtura.
Në përfundim të deklaratës, Mercier theksoi se autoritetet shqiptare duhet të shmangin çdo veprim që mund të cenojë përmbushjen e standardeve të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe të veprojnë në përputhje me angazhimet e marra në procesin e integrimit.
