Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër për bllokimin e aksit rrugor Librazhd–Prrenjas, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balliu shprehet se, pavarësisht qindra milionë eurove të mbledhura nga taksat e qytetarëve për rrugët dhe infrastrukturën, realiteti në terren tregon dështim të plotë të qeverisjes dhe mungesë totale sigurie.
Sipas deputetit të PD-së, rrëshqitjet e dherave dhe bllokimi i këtij aksi jetik janë pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit, korrupsionit dhe, siç u shpreh ai, vjedhjes së fondeve publike nga qeveria. Në reagimin e tij, Balliu përmend kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke i akuzuar se kanë shndërruar rrugët e vendit në burim rreziku për qytetarët.
“Rrugët janë kthyer në kërcënim për jetën. Paratë janë marrë, por siguria mungon. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit dhe vjedhjes,” shprehet Balliu, duke theksuar se qytetarët po paguajnë me rrezik jete pasojat e një qeverisjeje të papërgjegjshme.
Reagimi vjen në një moment kur bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas ka lënë për orë të tëra dhjetëra automjete të izoluara dhe ka rikthyer shqetësimin për gjendjen e infrastrukturës rrugore dhe përgjegjësinë institucionale.
