Një ngjarje e rëndë është shënuar në rrugën turistike Pejë–Bogë, në zonën e njohur si Gryka e Rugovës, ku shembja e një masivi shkëmbor për pak sa nuk u kthye në tragjedi për një familje që po udhëtonte drejt Pejës.
Sipas informacioneve, shkëmbi u shkëput nga shpati i malit dhe goditi automjetin në lëvizje. Fatmirësisht, guri u përplas në kolonën mes derës së shoferit dhe asaj të pasme, duke shmangur përplasjen direkte me drejtuesin e mjetit dhe duke mos e hedhur automjetin në humnerë.
Si pasojë e goditjes, drejtuesi i automjetit ka mbetur i lënduar dhe ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa pasagjerët e tjerë nuk kanë pësuar lëndime.
Rruga Pejë–Bogë është një nga akset turistike më të frekuentuara gjatë gjithë vitit, me fluks të shtuar sidomos në stinën e dimrit, për shkak të bukurisë natyrore të Grykës së Rugovës dhe pranisë së dëborës. Zona vizitohet gjerësisht edhe nga turistë dhe qytetarë nga Shqipëria.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë turistike dhe ekonomike, infrastruktura rrugore në këtë segment mbetet në gjendje të degraduar. Mungesa e investimeve dhe e mirëmbajtjes së vazhdueshme ka bërë që rruga të paraqesë rrezik të përditshëm për udhëtarët, për shkak të rrëshqitjeve të shpeshta të gurëve dhe dherave nga shpatet e malit.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimin për sigurinë në këtë aks të rëndësishëm turistik, ndërsa qytetarët dhe vizitorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për stabilizimin e shpatit dhe garantimin e qarkullimit të sigurt, përpara se një incident i tillë të përfundojë me pasoja fatale.
