Rama hedh idenë e Parlamentit të ri: Të vendosim piketat dhe të modernizojmë administratën e Kuvendit

Data

Kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë për ndërtimin e një godine të re të Parlamentit të Shqipërisë, pa dhënë ende detaje konkrete për vendndodhjen apo afatet e nisjes së projektit.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama theksoi se paralelisht me këtë nismë duhet të ecë edhe modernizimi i administratës së Kuvendit, përmes një transformimi të thellë teknologjik.

Sipas tij, administrata parlamentare ka nevojë për mbështetje të re digjitale dhe organizative, në mënyrë që të rritet efikasiteti i punës ligjvënëse dhe të krijohet një ambient më funksional për deputetët.

“Duhet ta vazhdojmë me administratën e Kuvendit që kemi kohë që themi se duhet të modernizohet dhe të mbështetet nga një transformim teknologjik. Nga ana tjetër, duhet të vendosim edhe piketat në një kalendar të qartë për godinën e re të Parlamentit të Shqipërisë. Të gjitha këto bashkë do t’i japin më shumë energji pozitive punës së deputetëve”, u shpreh Rama.

Deklarata vjen në një moment diskutimesh të gjera për reformimin e institucioneve dhe rritjen e kapaciteteve administrative të Kuvendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related