Këshilli i Ministrave ka miratuar zyrtarisht rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, duke e çuar atë në 50 mijë lekë në muaj. Vendimi parashikon që niveli i ri i pagës minimale të zbatohet nga data 1 janar 2026, pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Sipas vendimit të qeverisë, paga bazë minimale mujore prej 50 000 lekësh është e detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë punëdhënësit, si persona fizikë ashtu edhe juridikë, vendas apo të huaj, që ushtrojnë aktivitet në territorin e Shqipërisë.
Paga minimale është llogaritur mbi bazën e 174 orëve pune në muaj, që përfaqësojnë kohën normale të punës. Në këtë kuadër, paga minimale orare është përcaktuar në 287.3 lekë për orë.
Vendimi saktëson gjithashtu se çdo shtesë me karakter të përhershëm, si përvoja në punë apo kualifikimi profesional, duhet të jepet mbi pagën bazë minimale dhe nuk përfshihet brenda saj.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi i mëparshëm i vitit 2023, i cili përcaktonte nivelin aktual të pagës minimale. Efektet financiare për punonjësit do të nisin zyrtarisht nga 1 janari 2026, duke shënuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave minimale për mijëra punëmarrës në vend.
