Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht 0-1 nga Gjeorgjia në “Air Albania”, me sfidën që vlente për raundin e dytë të ndeshjeve në Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Një supergol nga Kochorashvili në minutën e 71-të vendosi ndeshjen. Në minutën e 68, pati drithërima para portës kuqezi ku fillimisht Ismajli bllokoi një gjuajtje drejt katërkëndorit e më pas Kakabadze gjuajti jashtë mbi traversë. Pas fitores me Ukrainën tre ditë më parë, Kombëtarja merr një humbje në shtëpi. Kjo është humbja e parë në epokën Sylvinho në “Air Albania”.
Detajet nga ndeshja
Në minutën e 62, Asani nga e djathta gjuajti nga jashtë zonës, por topi u devijua në këndore. Në minutën e 63, pas zhvillimit të një goditje këndi, topi shkoi te Bajrami, i cili gjuajti nga e majta, por topi shkoi jashtë pa u devijuar nga Kumbulla pranë portës. Në minutën e 58, një harkim nga e majta gjeti Mikautadzen, i cili devijoi, por nuk gjeti portën e Strakoshës. Në minutën e 55, një largim i gabuar i Mitajt i dha mundësinë Çakvetadzes të gjuante drejt portës, por topi shkoi jashtë ngjitur me shtyllën në të majtën e Strakoshës. Pas situatës së krijuar në duelin ndaj Ukrainës, me goditjen e dënimit në fundin e sfidës, Rei Manaj duket se ka reflektuar, teksa në një situatë të ngjashme në minutën e 47, ia la topin ta gjuante Asllani, duke u futur “mik” edhe te Bajrami. Po për fat të keq Asllani zhgënjeu me tentativën e tij, duke e dërguar topin shumë lartë kuadratit.
Rastet në pjesën e parë
Pjesa e parë e ndeshjes Shqipëri-Gjeorgji u mbyll në në barazim 0-0. Kuqezinjtë e nisën menjëherë në sulm, pasi në minutën e 3, Hysaj pasoi nga e djathta për Manajn, por gjuajtja e tij u bllokua nga mbrojtësit gjeorgjianë. 2 minuta më vonë, Çakvetadze nga e djathta kaloi Mitajn dhe pasoi për Kvaran, por Kumbulla largoi rrezikun. Në minutën e 12, Hoxha nga e majta hyri drejt qendrës dhe lëshoi një gjuajtje të fortë, por pa gjetur katërkëndorin e gjeorgjianëve. 4 minuat më vonë, Kiteishvili provoi nga distanca, pa gjetur portën e mbrojtur nga Strakosha. Në minutën e 21, Asllani tentoi një skemë në goditje dënimi, harkimi i tij drejt Ismajlit u ndal nga Mamardashvili, para se arbitri të sinjalizonte pozicionin jashtë loje. 4 minuta më vonë, rast i rrezikshëm për miqtë me një top nga e djathta që fatmirësisht nuk u devijua nga Kvaratshkelia para portës. Në minutën e 29, Asllani provoi të surprizonte gjeorgjianët, gjuajti nga distanca, por nuk pati saktësinë e duhur. Në minutën e 35, Asani nga e djathta gjeti hapësirën për të nisur topin drejt qendrës, por Mamardashvili ishte në pozicion dhe kontrolloi topin. 2 minuta më vonë, Arbër Hoxha nga e majta provoi me një tjetër gjuajtje nga distanca, por topi nuk mori trajektoren e duhur drejt portës.
