Veliaj prej 10 muajsh në burg, Këshilli Bashkiak i Tiranës i drejtohet SPAK-ut: Lejoni kryebashkiakun të marrë pjesë fizikisht në mbledhje

Data

Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar që kryebashkiakut Erion Veliaj t’i lejohet pjesëmarrja fizike në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.

Sipas kërkesës, pjesëmarrja e kryetarit të bashkisë në këtë proces përbën detyrim ligjor, të parashikuar nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore dhe financat publike.

Këshilli: Pjesëmarrja është e drejtë funksionale e garantuar me ligj

Në shkresën drejtuar institucioneve, Këshilli Bashkiak thekson se prania e kryebashkiakut është e domosdoshme për të garantuar bashkëpunimin institucional në çështje me interes publik, siç është buxheti vjetor.

Duke iu referuar Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, Këshilli nënvizon se:

  • Kryetari i bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë dhe të raportojë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak;
  • Bashkëpunimi mes kryetarit dhe këshillit është i detyrueshëm për çështje që prekin interesin publik.

Po ashtu, citohet Ligji nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ku parashikohet se kryetari i njësisë vendore përgatit projektbuxhetin dhe ia paraqet atë për miratim Këshillit Bashkiak.

Kërkesa konkrete

Në këtë kuadër, Këshilli kërkon që, nëse ndaj Veliajt janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat 16–18 dhjetor 2025, me garantimin e çdo mase sigurie apo protokolli që institucionet përkatëse e konsiderojnë të nevojshme.

Këshilli shprehet i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për të garantuar një proces ligjor, transparent dhe funksional.

Veliaj prej 10 muajsh në paraburgim

Kujtojmë se Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza të rënda, përfshirë korrupsion dhe pastrim parash. Çështja ndaj kryebashkiakut të Tiranës është ende në fazë hetimi nga SPAK.

Institucionet ende nuk kanë reaguar publikisht lidhur me kërkesën e Këshillit Bashkiak.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related