Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka sulmuar ashpër mazhorancën gjatë seancës plenare, duke vënë në pikëpyetje procedurën e përshpejtuar për miratimin e projektligjit që lidhet me aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Sipas Bardhit, e vetmja arsye e këtij nxitimi është për të zhvendosur vëmendjen nga seanca që po zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Ai akuzoi shumicën se po shkel ligjin, Kushtetutën dhe çdo rregull parlamentar për të mbrojtur një zyrtare të përfshirë në afera të rënda korruptive. Bardhi deklaroi se Balluku nuk duhet të ishte sot në Kuvend, por përballë drejtësisë, duke shtuar se sipas kërkesës së SPAK ajo duhet të ishte nën masa më të rënda sigurie.
“Ose shkelim ligjin, ose mbrojmë Ballukun – kjo është logjika juaj”, u shpreh Bardhi, duke e cilësuar sjelljen e mazhorancës si një përpjekje për intimidim të Gjykatës Kushtetuese dhe për zhurmim të skandalit që, sipas tij, po trondit qeverinë.
