Veliaj bojkoton seancën në GJKKO: “Nuk është dinjitoze të qëndroj në kafazin e xhamit”, gjyqi shtyhet

Data

Është shtyrë seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë në procesin që ka tërhequr vëmendje të gjerë publike.

Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, duke zgjedhur të përfaqësohej nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Në një shkresë drejtuar gjykatës, kryebashkiaku argumenton se nuk do të marrë pjesë në seancë pasi e konsideron jo dinjitoz qëndrimin në kafazin e xhamit të të pandehurve.

Në sallë ishte i pranishëm vetëm prokurori i posaçëm Ols Dado, ndërsa mungonte prokurori tjetër i çështjes, Altin Dumani. Seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së disa avokatëve mbrojtës.

“Për shkak të mungesës së disa avokatëve, Prokuroria e Posaçme vlerëson se kjo seancë nuk mund të zhvillohet”, deklaroi prokurori Ols Dado.

Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca kundërshtoi mundësinë e pezullimit të afateve të paraburgimit për klientin e tij, duke argumentuar se mungesa e një avokati tjetër në proces nuk duhet të ndikojë në të drejtat procedurale të Veliajt.

“Fakti që një avokat ndodhet në një proces tjetër gjyqësor nuk mund të bëhet shkak që Erion Veliajt t’i pezullohen afatet e paraburgimit. Ne nuk po pengojmë zhvillimin e gjykimit”, u shpreh Ndreca.

Në këtë proces janë nën akuzë 19 persona dhe disa subjekte juridike. Për 11 prej të pandehurve, gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke i veçuar nga procesi kryesor.

Ndërkohë, GJKKO nuk pranoi kërkesën e një televizioni kombëtar për transmetimin me kamera të seancës gjyqësore.

Seanca e radhës pritet të caktohet në ditët në vijim, ndërsa procesi mbetet një nga çështjet më të ndjekura të drejtësisë shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related