Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Apelit të Posaçëm me kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, të vendosur më 1 shkurt nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Në ankimimin e tij, Veliaj kërkon një masë më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore si alternativë ndaj qëndrimit në qeli. Kërkesa është regjistruar nga Apeli, ndërsa për shqyrtimin e saj është caktuar gjyqtarja Nertina Kosova.
Lëvizja e Veliajt vjen menjëherë pasi Shkalla e Parë vendosi kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të tij. Seanca në Apelin e Posaçëm është caktuar të mbahet më 24 shkurt, ku do të vendoset nëse masa e sigurisë do të ndryshojë apo do të mbetet në fuqi.
