Shqetësimet po shtohen lidhur me përfundimin në kohë të punimeve në stadiumin legjendar të Mexico City-t, i planifikuar të presë ndeshjen inauguruese të Botërorit 2026 më 11 qershor.
Turneu do të organizohet për herë të parë në tre vende – SHBA, Meksikë dhe Kanada – ndërsa sipas planit aktual, ndeshja hapëse do të zhvillohet në “Azteca”, me përfaqësuesen e Meksikës në fushë. Por ritmi i punimeve ka ngritur pikëpyetje serioze nëse impianti do të jetë plotësisht gati për eventin më të madh të futbollit botëror.
Pamjet e fundit nga stadiumi tregojnë se punimet vijojnë si në ambientet e jashtme, ashtu edhe në brendësi të tij. Procesi i rinovimit përfshin përmirësime strukturore, ambiente për tifozët dhe standarde të reja teknike të kërkuara nga FIFA.
Çdo vonesë e mundshme mund të detyrojë organizatorët të shqyrtojnë alternativa për ndeshjen hapëse, një skenar që do të kishte ndikim të madh simbolik dhe logjistik për turneun.
