Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur botën e Hollywood-it, pasi regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michelle, janë gjetur të vrarë brenda banesës së tyre në Los Angeles.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, çifti u gjet i pajetë pasditen e së dielës, ndërsa autoritetet dyshojnë se viktimat janë masakruar me thikë. Hetimet janë ende në fazë paraprake, por burime pranë çështjes bëjnë me dije se dyshimet kryesore bien mbi djalin e tyre, Nick Reiner.
Sipas raportimit të revistës People, Nick Reiner kishte probleme të rënda me varësinë nga droga dhe për disa vite kishte jetuar si i pastrehë. Ai konsiderohet person me interes në hetim, ndërsa policia nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare përfundimtare mbi autorësinë e krimit.
Rob Reiner, 78 vjeç, dhe Michelle, 68 vjeçe, ishin të martuar që prej vitit 1989. Çifti kishte tre fëmijë, ndërsa regjisori kishte adoptuar gjithashtu aktoren Tracy Reiner, vajzën e ish-bashkëshortes së tij, aktores Penny Marshall, me të cilën kishte qenë i martuar nga viti 1971 deri në vitin 1981.
Rob Reiner ishte një nga figurat më të njohura të kinemasë amerikane, i famshëm si aktor dhe regjisor. Ai u bë i njohur fillimisht për rolin e tij në serialin legjendar “All in the Family”, përpara se të kalonte pas kamerës dhe të realizonte disa nga filmat më të suksesshëm të dekadave të fundit.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, ndërsa bota e artit dhe filmit mbetet e tronditur nga kjo ngjarje e rëndë.
