Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti sot fjalën e tij përmbyllëse para trupit gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po përballet me akuza për krime të pretenduara gjatë Luftës së Kosovës.
Në deklaratën e tij, Thaçi theksoi se vendimi për t’u kthyer në Kosovë në pranverën e vitit 1998 ishte personal dhe i diktuar nga situata dramatike në terren. Ai kujtoi se ishte dënuar në mungesë nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, duke e cilësuar atë sistem si represiv dhe diskriminues.
“Duke parë masakrat ndaj popullit tim, nuk mund të qëndroja indiferent. Nuk mund të rrija anash teksa familja dhe populli im përballeshin me shfarosje. Bëra atë që do të bënte secili prej jush nëse populli juaj do të përjetonte të njëjtën gjë. Për këtë jam krenar dhe nuk pendohem asnjëherë”, deklaroi ai.
Thaçi kundërshtoi pretendimet e prokurorisë se qëllimi i tij kishte qenë marrja e kontrollit dhe pushtetit në Kosovë, duke i quajtur këto akuza të pavërteta dhe ofenduese për viktimat e luftës. Sipas tij, në atë periudhë kontrolli ishte në duart e regjimit serb dhe shqiptarët nuk ushtronin pushtet, por ishin të shtypur.
Ai nënvizoi gjithashtu rolin vendimtar të ndërhyrjes së NATO-s dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara në përfundimin e luftës dhe rrugëtimin drejt pavarësisë së Kosovës.
“Millosheviçi nisi luftën në Kosovë, ndërsa ne po vetëmbroheshim. Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe ashtu ndodhi. U ktheva jo për pushtet, por për liri dhe paqe”, përfundoi Thaçi.
