Seancat parlamentare në Shqipëri po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një shfaqje humori, ku protagonistët kryesorë janë deputetët që bëjnë sikur përplasen, ndërsa në prapaskenë shefat e tyre negociojnë marrëveshje të fshehta. E në fakt kështu ndodhi edhe dje, teksa seanca plenare u kthye në teatër politik, ku Flamur Noka dhe Taulant Balla luajtën rolin e “armiqve të betuar”, por në realitet, sipas burimeve, janë vetëm fasada e një paktit Rama-Berisha. Seanca nisi me tensione sapo Balla mori fjalën për të folur për Diasporën dhe zgjedhjet e 11 majit. Deputetët e opozitës, të udhëhequr nga Noka, reaguan ashpër duke u vërsulur drejt foltores. Situata precipitoi kur Noka tentoi të godiste Ballën dhe më pas Spiropalin me një shishe uji, por ndërhyrja e Gardës e ndali.
“Merreni këtë se është i çmendur”, tha Balla, duke shtuar dozat e ironisë. Ndërkohë tensioni u rrit edhe më tej kur deputeti Petrit Doda u përpoq ta qëllonte Ballën me një mikrofon të shkulur, ndërsa Garda krijoi kordon mbrojtës për ta parandaluar. Kryeparlamentarja Spiropali ndërhyri duke paralajmëruar se kushdo që vazhdonte kaosin do përjashtohej. Por Noka, në mënyrë sfiduese, teksa largohej, e hodhi sërish shishen në drejtim të Spiropalit, duke bërë që ajo ta përjashtonte nga seanca. Në këtë atmosferë tensioni dhe kaosi të orkestruar, Balla iu drejtua opozitës duke thënë se Diaspora do t’i ndëshkojë më 11 maj. “Që ju përdor ai atje, ‘bufi i kënetës’, do ju mundim më thellë se herën tjetër”, deklaroi ai, duke iu referuar Berishës. Por teksa përplasjet vazhdonin në sallë, një e vërtetë mbetet e qartë: zhurma e Nokës dhe Ballës mund të jetë vetëm tymnaja e radhës për të mbuluar marrëveshjet e shefave të tyre në prapaskenë.
