Vasili: Kryeministri gëzon pandëshkueshmëri de facto, protesta po sfidon “Republikën e pandëshkueshmërisë”

Data

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se vendi po funksionon si një “Republikë e pandëshkueshmërisë”, ku, sipas tij, zyrtarët e lartë nuk mbajnë përgjegjësi për aferat që u atribuohen.

Në një reagim publik, Vasili u shpreh se kryeministrit “i rëndojnë faje dhe përgjegjësi të rënda” për një sërë çështjesh, por, sipas tij, drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor ndaj tij.

“Ndërsa drejtësia thërret qindra qytetarë për çështje fare banale, nga ana tjetër Kryeministri gëzon de facto statusin e pandëshkueshmërisë absolute,” u shpreh Vasili.

Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi zhvillimet në Zvërnec, duke kërkuar sqarime për ndërhyrjet e kryera në zonë, si dhe kritikoi mënyrën e trajtimit të projekteve në Bënjë të Përmetit dhe në Kanionin e Erzenit, të cilat, sipas tij, kanë dëmtuar vlera të rëndësishme natyrore pa u mbajtur askush përgjegjës.

Sipas Vasilit, ekziston një standard i dyfishtë në zbatimin e ligjit, ku qytetarët e zakonshëm ndëshkohen për shkelje të vogla, ndërsa zyrtarët e lartë dhe përgjegjësit për dëme më të mëdha mbeten të pandëshkuar.

Në reagimin e tij ai theksoi se protestat qytetare po shërbejnë si një formë kundërshtimi ndaj këtij modeli, duke pretenduar se ato kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

“Drejtësia duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë. Shqipëria e re do të thotë fund i Republikës së pandëshkueshmërisë dhe triumf i barazisë përpara ligjit”, përfundoi Vasili.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related