Aktivisti Edison Lika deklaroi se protesta qytetare që po zhvillohet prej 27 ditësh në Tiranë është rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej vitesh ndaj institucioneve dhe mënyrës së qeverisjes, duke e cilësuar ngjarjen në Zvërnec si momentin që, sipas tij, shërbeu si shkëndijë për mobilizimin qytetar.
Në një intervistë televizive, Lika u shpreh se pamjet e përplasjes në Zvërnec, ku sipas tij qytetarë u dhunuan ndërsa Policia e Shtetit nuk ndërhyri, krijuan një reagim të menjëhershëm publik.
Sipas tij, një thirrje fillestare në rrjetet sociale për një tubim para Drejtorisë së Policisë u shndërrua brenda pak orësh në një marshim të madh drejt Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë.
Aktivisti argumentoi se protesta tashmë ka tejkaluar një rast të vetëm dhe është kthyer në një reagim më të gjerë ndaj modelit të zhvillimit dhe funksionimit të institucioneve.
“Njerëzit nuk e pranojnë më idenë se zhvillimi matet vetëm me kulla betoni dhe resorte luksoze. Ata kërkojnë mbrojtjen e natyrës, zhvillim të qëndrueshëm dhe një model që përfshin qytetarët,” u shpreh Lika.
Ai shtoi se lëvizja qytetare ka ndikuar edhe në ndryshimin e perceptimit të shumë njerëzve, duke nxitur, sipas tij, solidaritet dhe angazhim kolektiv në vend të zgjedhjes së emigrimit si zgjidhje individuale.
Sipas Likës, protestuesit kërkojnë më shumë llogaridhënie nga institucionet dhe ndryshime që shkojnë përtej rotacionit politik, duke synuar një model të ri të përfaqësimit dhe pjesëmarrjes qytetare.
