Një incident i pazakontë ka ndodhur në Pekin, ku një aeroplan i vogël është përplasur me CITIC Tower (i njohur edhe si China Zun), ndërtesa më e lartë e kryeqytetit kinez. Ngjarja shkaktoi ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të emergjencës dhe evakuimin e godinës.
Sipas dëshmitarëve, avioni, me përmasa të ngjashme me një makinë, goditi një nga katet e larta të ndërtesës, duke dëmtuar dy panele xhami. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë mbetje të avionit që bien në tokë, ndërsa disa automjete të parkuara pësuan dëmtime nga copëzat e rëna.
Autoritetet kineze kanë rrethuar zonën dhe kanë shtuar praninë e policisë, zjarrfikësve dhe autoambulancave. Deri tani nuk është publikuar një bilanc zyrtar për viktima apo të lënduar dhe nuk janë bërë të ditura shkaqet e incidentit.
Raportimet paraprake tregojnë se mjeti i përfshirë mund të ketë qenë një aeroplan i lehtë i tipit Sunward SA60L Aurora, i cili dyshohet se devijoi nga trajektorja e planifikuar e fluturimit pak para përplasjes. Megjithatë, autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht këtë informacion.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi Pekini konsiderohet një nga qytetet me kontrollin më të rreptë të hapësirës ajrore, veçanërisht mbi zonat qendrore ku ndodhen objekte strategjike. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vijim.
