Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar skandalin e AKSHI-t si “aferën më të zezë të të gjitha kohërave” dhe si një mekanizëm të ngritur për përvetësimin e qindra milionë eurove nga familja e tij.
Gjatë konferencës për mediat, Berisha deklaroi se për vite me radhë, fituesi real i tenderave të AKSHI-t ka qenë Armand Frangu, baxhanaku i kryeministrit dhe kunati i bashkëshortes së tij. Sipas tij, pas ekspozimit publik të kësaj skeme, tenderat kanë vijuar të përqendrohen te i njëjti rreth, por përmes prestanomeve.
“Pas zbulimit të ndërhyrjes së bashkëshortes së kryeministrit, u kalua te prestanomet dhe 93 përqind e tenderave të AKSHI-t u fituan nga dy kompani, që në fakt janë kompani të baxhanakut të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Ai përmendi konkretisht kompani të lidhura me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, për të cilat tha se kanë realizuar fitime marramendëse pa asnjë aktivitet real ekonomik.
“Ka kompani që janë regjistruar me 1 mijë euro kapital dhe brenda pak muajsh kanë përfunduar me dhjetëra milionë euro në llogaritë bankare, pa asnjë import, pa asnjë investim, pa asnjë punë reale”, theksoi Berisha.
Sipas tij, skema e AKSHI-t është e ngjashme me aferën e inceneratorëve, ku paratë publike janë shpërndarë përmes kompanive fantazmë, ndërsa shërbimet ose nuk janë kryer fare, ose janë kryer vetëm në letër.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin se po relativizon korrupsionin duke ndryshuar gjuhën publike:
“Rama u thotë shqiptarëve se nuk ka vjedhje, por ‘përdorim’. Kjo është filozofia e grabitjes së tij.”
Në fund, lideri i opozitës theksoi se sipas tij, AKSHI është shndërruar në “kopsht privat” të familjes Rama, duke përbërë jo vetëm një aferë financiare, por edhe një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve te shteti.
