“USB-ja u kyç që t’i hapej rruga shtyrjes”, opozita shpërthen pas mbledhjes së Mandateve: Akuzë e drejtpërdrejtë për skenar në favor të Ballukut

Data

Mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, është shtyrë pa një datë të përcaktuar për rimarrjen e saj, duke ndezur përplasje të forta politike dhe akuza për manipulim procedural.

Pas përfundimit të mbledhjes, përfaqësuesit e opozitës deklaruan se do të kërkojnë që Këshilli të mblidhet sërish të hënën ose të martën, ndërsa hodhën akuza të rënda për mënyrën se si është menaxhuar procesi.

Sipas tyre, materiali i dorëzuar nga SPAK, konkretisht USB-ja me provat, është mbajtur e kyçur me qëllim, duke penguar anëtarët e Këshillit të njihen plotësisht me përmbajtjen e dosjes. Opozita pretendon se ky veprim është përdorur si justifikim që pala mbrojtëse të kërkojë shtyrjen e mbledhjes, me argumentin se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.

Në deklarimet pas mbledhjes u theksua se opozita kishte kërkuar që procesi të ishte transparent dhe i hapur, me përjashtim të momenteve kur do të trajtoheshin elementë të sekretit hetimor. Sipas saj, gjatë gjithë mbledhjes nuk është diskutuar asnjë çështje që përbënte sekret hetimor, por vetëm procedura dhe e drejta e anëtarëve për të pasur akses të plotë në materialet e SPAK.

Opozita argumenton se rregullorja parashikon qartë që çdo anëtar i Këshillit të Mandateve duhet të ketë në dispozicion të gjithë dokumentacionin, ndërsa mbyllja e USB-së në kasafortë ka shërbyer, sipas tyre, si një skenar i parapërgatitur për të zvarritur procesin.

Sipas këtij qëndrimi, shtyrja e mbledhjes nuk lidhet me nevojë reale procedurale, por me një përpjekje për t’i dhënë kohë dhe alibi të pandehurës që hetimi parlamentar të mos ecë me ritme të shpejta.

Këshilli i Mandateve pritet të rikthehet në fokus në ditët në vijim, ndërsa tensionet politike rreth çështjes së imunitetit të Ballukut vijojnë të thellohen, duke e kthyer procesin në një tjetër arenë përplasjeje mes mazhorancës dhe opozitës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related