Trafiku i klandestinëve Shqipëri–Kosovë, çmontohet organizata kriminale: 4 persona të akuzuar, fitonin deri në 300 euro për çdo emigrant

Data

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të dyshuar për përfshirje në kontrabandimin e migrantëve dhe pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar.

Sipas hetimeve, të pandehurit kanë vepruar si një strukturë e organizuar kriminale nga janari i vitit 2023 deri në shtator të këtij viti, duke futur në mënyrë të paligjshme shtetas të huaj në territorin e Kosovës. Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar.

Prokuroria bën me dije se grupi përfitonte financiarisht nga kontrabandimi i migrantëve, duke marrë nga 100 deri në 300 euro për çdo person. Emigrantët vinin kryesisht përmes Shqipërisë nga vende të treta si Bangladeshi, Pakistani, Siria dhe shtete të tjera, ndërsa destinacioni final i tyre ishin vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, vepra penale e kontrabandimit të migrantëve dënohet me gjobë ose me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

Ligji kosovar parashikon që migrantët të mund të qëndrojnë në Kosovë pa u lajmëruar tek autoritetet vetëm deri në 15 ditë. Pas këtij afati, ata duhet të aplikojnë për statusin e azilkërkuesit ose të largohen nga territori i vendit. Procedura për marrjen e azilit zgjat zakonisht disa muaj.

Autoritetet kosovare kanë theksuar se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale të trafikimit të klandestinëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related