Qeveria e Shtetet e Bashkuara ka urdhëruar largimin e stafit jo-thelbësor nga ambasada e saj në Bejrut, pas një rishikimi të situatës së sigurisë në rajon. Sipas Departamentit të Shtetit, masa është parandaluese dhe ambasada do të vijojë të funksionojë me personel thelbësor.
Vendimi vjen në një klimë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se mund të ndërmerren veprime ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje për programin bërthamor iranian.
Zyrtarët amerikanë bëjnë me dije se rreth 50 anëtarë të stafit janë urdhëruar të largohen, ndërsa dhjetëra të tjerë pritet të evakuohen së bashku me familjarët e tyre. Masa cilësohet si e përkohshme dhe synon garantimin e sigurisë së personelit diplomatik.
Ndërkohë, SHBA ka forcuar praninë ushtarake në rajon, përfshirë dislokimin e anijeve luftarake dhe aeroplanmbajtëseve pranë Gjirit Persik. Nga ana tjetër, udhëheqja iraniane ka paralajmëruar se çdo sulm do të marrë përgjigje, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme.
Autoritetet amerikane theksojnë se po monitorojnë vazhdimisht zhvillimet dhe do të marrin masa shtesë nëse situata e sigurisë përkeqësohet.
