Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, ka bërë thirrje për kujdes ndaj mashtrimeve online që lidhen me oferta të rreme për kredi.
Sipas njoftimit zyrtar, janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi. Qëllimi i tyre është përfitimi monetar në mënyrë mashtruese dhe vjedhja e të dhënave personale apo bankare.
Policia këshillon qytetarët që të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale tek persona të paidentifikuar ose faqe interneti të pasigurta. Para çdo aplikimi për kredi, qytetarët duhet të verifikojnë informacionin dhe të komunikojnë vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve financiare.
Gjithashtu, rekomandohet që në mungesë të mundësisë për t’u paraqitur fizikisht në banka, qytetarët të përdorin vetëm kontaktet zyrtare të publikuara nga vetë institucionet.
Policia e Shtetit fton qytetarët që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale, duke theksuar se mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik.
