Një operacion i madh antidrogë i policisë italiane ka çuar në arrestimin e një 21-vjeçari shqiptar në qytetin e Veronës, ku u sekuestruan sasi të mëdha heroine të destinuara për tregun vendas.
Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan rreth 6 kilogramë heroinë dhe 15 kilogramë lëndë përzierëse që shërbente për prerjen e drogës. Narkotikët ishin fshehur në një garazh bodrumi, të cilin i riu e përdorte për magazinimin e lëndëve të paligjshme.
Operacioni u zhvillua më 29 janar nga Policia e Shtetit në Verona, në kuadër të luftës kundër trafikut të drogës. Efektivët e Skuadrës Fluturuese vunë re lëvizje të dyshimta të të riut në zonën Porto San Pancrazio, pranë Porta Vescovo. Pas ndjekjes, ai u pa duke hyrë në një garazh dhe duke dalë pak minuta më vonë me një çantë shpine.
Gjatë kontrollit të çantës u gjetën pakot e para të heroinës, ndërsa kontrolli i mëtejshëm i bodrumit çoi në zbulimin e të gjithë sasisë së drogës dhe materialit prerës.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 21-vjeçari u arrestua për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe u dërgua në burgun Verona-Montorio, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
