Ulsi Manja i futet biznesit të ndërtimi, kompleks vilash në Farkë, ja transaksionet e dyshimta të ministrit, si e…

Data

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dyshohet se ka hyrë në një biznes të ri ndërtimi, duke blerë një truall për një kompleks vilash në Farkë, por ky investim ka ngritur një mori pikëpyetjesh lidhur me ligjshmërinë dhe transparencën e transaksioneve. Sipas hetimeve të “BIRN”, mënyra se si Manja ka siguruar pronën, nën vlerën e tregut, ka tërhequr vëmendjen dhe ka ngjallur dyshime për abuzim me detyrën dhe ndikim të mundshëm të lidhjeve të tij politike. Ky rast vjen në një kohë kur shoqëria shqiptare kërkon më shumë përgjegjshmëri dhe kontroll mbi pasuritë e figura të larta shtetërore, duke nxjerrë në pah disa standarde të dyshimta për menaxhimin e pasurive publike dhe private.

Shkrimi i plotë i “BIRN”

Dhjetë vjet më parë, Isuf Kërçiku vendosi të shpërngulej nga Kamza e zhurmshme drejt Farkës së Vogël, asokohe një fshat piktoresk në periferi të Tiranës me një liqen të vogël në qendër të tij. Kërçiku, 78 vjeç, thotë se e zgjodhi Farkën për qetësinë, natyrën e bukur dhe ajrin e pastër. Por brenda një dekade, kjo “parajsë” e dikurshme u zhduk nga vala e ndërtimeve dhe zhurma e makinerëve të rënda. “Shikoni vetë si është bërë, kantier,” thotë Kërçiku, duke zgjatur dorën drejt godinave në ndërtim e sipër.

“Dakord, duhet t’i hapim rrugë zhvillimit, por jo çdo gjë beton. Të lemë diçka edhe për natyrën,” shtoi ai. Farka e Vogël ndodhet vetëm 9 kilometra larg qendrës së Tiranës dhe është sot destinacioni më të ri i rezidencave dhe komplekseve të vilave për banorët e pasur të kryeqytetit. Të paktën 15 komplekse vilash dhe dy pallate gjenden aktualisht në proces ndërtimi, ndërsa të tjera projekte janë në pritje të miratimit të lejeve nga Bashkia e Tiranës. Presioni i lartë për ndërtim ka sjellë gjithashtu një rritje të vlerës të tokës. Banorët thonë se preferojnë gjithsesi që të mos shesin, por ta japin tokën për zhvillim në këmbim të sipërfaqeve të ndërtimit. Ky është edhe shembulli i ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Pasi investoi 3 milionë lekë për blerjen e një sipërfaqeje toke prej 1 mijë metrash katrorë në vitin 2021, Manja synon që ta transformojë atë në një pasuri me vlerë qindramijëra euro brenda një kompleksi vilash me pishina dhe mure rrethuese buzë liqenit të Farkës. Tre vjet pas blerjes së tokës, Manja dhe bashkëshortja e tij aplikuan për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës për projektin e një kompleksi vilash, së bashku me pronarë të tjerë të tokave fqinje në Farkë. Transaksionet e kryera nga ministri i Drejtësisë ngrejnë pikëpyetje, pasi ai e bleu tokën nën vlerën e tregut nga një zyrtar lokal i Partisë Socialiste dhe synon që ta zhvillojë atë përmes një kompanie fituese të një koncesioni nga qeveria “Rama”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related