Raporti i fundit i Komisionit Europian për sundimin e ligjit në Shqipëri evidenton disa zhvillime që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në çështjet e korrupsionit.
Sipas dokumentit, Komisioni Europian shpreh shqetësim për vendimin e Kuvendit, në mars 2026, për të mos miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të një deputeti të hetuar për çështje që lidhen me procedurat e tenderimit.
Në raport thuhet se ky vendim ka ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës institucionale, si edhe mbi zbatimin e parimit të barazisë para ligjit.
Komisioni Europian ndalet gjithashtu te nismat e ndërmarra nga një grup deputetësh të mazhorancës për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Sipas raportit, propozimet synojnë zgjerimin e kategorisë së funksionarëve publikë ndaj të cilëve nuk mund të zbatohet masa e pezullimit nga detyra gjatë procedimeve penale.
Sipas vlerësimit të Komisionit, ndryshime të tilla mund të ndikojnë në efektivitetin e hetimeve penale, veçanërisht në rastet që lidhen me korrupsionin në nivele të larta, si dhe të krijojnë perceptimin e pandëshkueshmërisë.
Raporti thekson se respektimi i parimeve të shtetit të së drejtës, pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe zbatimi i barabartë i ligjit mbeten elementë thelbësorë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në materialin e Komisionit Europian nuk përmendet se këto zhvillime përbëjnë pezullim apo bllokim të negociatave të anëtarësimit, por evidentohen si çështje që kërkojnë vëmendje në kuadër të reformave për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
