Shehaj: Balluku mbyllte marrëveshjet pa garë, të korruptuarit duhet të dalin para drejtësisë

Data

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ndërmarrë një nismë publike në mbështetje të sistemit të drejtësisë, duke nisur mbledhjen e firmave të qytetarëve që, sipas tij, janë në anën e ligjit dhe jo të korrupsionit. Në një intervistë, Shehaj deklaroi se ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri përbën një moment historik, pasi për herë të parë zyrtarë të lartë po vihen realisht përballë drejtësisë.

Sipas Shehajt, goditja e korrupsionit në nivele të larta, përfshirë çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka shkaktuar reagime të forta dhe sulme politike ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut.

“Është jetike që të dëgjohet zëri i qytetarëve të ndershëm, i atyre që janë në krah të drejtësisë dhe jo në mbrojtje të të korruptuarve. Ne duam të mbledhim mijëra, madje qindra mijëra firma për t’i treguar qartë politikës se shqiptarët janë me drejtësinë dhe jo me ata që e kanë grabitur vendin,” u shpreh Shehaj.

Ai e krahasoi këtë proces me një moment historik të ngjashëm me rrëzimin e regjimit komunist, duke theksuar se pas 35 vitesh Shqipëria po përjeton një ndryshim tjetër të madh. Sipas tij, njerëzit që kanë sunduar për vite me korrupsion dhe pandëshkueshmëri, më në fund po përballen me ligjin.

Shehaj kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor maxhorancën parlamentare për të mbrojtur Ballukun dhe për të penguar drejtësinë. Ai përmendi si shembull qëndrimin e qeverisë ndaj kërkesës për arrestim, si edhe paralajmërimet për amnisti penale.

“Mesazhi është i qartë: ju vazhdoni hetoni e dënoni, ndërsa ne do t’i falim. Ky është një sinjal shumë i rrezikshëm për drejtësinë dhe për demokracinë,” tha ai.

Duke iu referuar akuzave ndaj Ballukut, Shehaj deklaroi se ajo nuk përcaktonte vetëm fituesit e tenderave, por mbyllte marrëveshjet me ta pa u hapur ende garat. Sipas tij, kjo tregon bindjen e zyrtarëve se ishin të paprekshëm dhe se mund të manipulonin çdo proces përmes pushtetit dhe parave.

“Balluku nuk priste as garën. Marrëveshjet mbylleshin paraprakisht, sepse mendonin se askush nuk do t’i prekte. Kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit lidhet drejtpërdrejt me demokracinë,” u shpreh Shehaj.

Në lidhje me kritikat se pse Partia Mundësia nuk bashkohet me forcat e tjera opozitare, Shehaj tha se bashkimi pa parime rrezikon besueshmërinë politike. Sipas tij, nuk mund të jesh në mbështetje të drejtësisë vetëm kur goditet kundërshtari politik.

“Ose je me drejtësinë, ose nuk je. Nuk mund të bësh sikur lufton korrupsionin vetëm kur të leverdis politikisht,” përfundoi Shehaj, duke theksuar se qëndrimi i forcës së tij do të mbetet i palëkundur në krah të drejtësisë dhe ndërtimit të një alternative të besueshme për qytetarët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related