Rrëmbim në mes të Tiranës, autorët pa maska ende të lirë! Gazetari ngre dyshime të forta: Kush po i mbron?

Data

Kanë kaluar pesë muaj nga rrëmbimi tronditës i biznesmenit Gerond Meçe në zemër të Tiranës dhe ende askush nuk ka dhënë përgjigje se kush ishin katër personat që e morën peng në mes të ditës. Një ngjarje e rëndë, e dokumentuar nga kamera sigurie, por që vazhdon të mbetet pa autorë të identifikuar.

Sipas gazetarit Elton Qyno, autorët janë filmuar nga disa kënde të ndryshme, pa maska në fytyrë, vetëm me kapele. Pamjet janë të qarta dhe fytyrat dallohen, por pavarësisht kësaj, Policia e Shtetit, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk kanë arritur ende t’i identifikojnë.

Ndërkohë, automjeti i përdorur në rrëmbim, një Land Rover Defender luksoz me targa AC121JJ, është identifikuar. Mjeti rezulton në pronësi të një shoqërie private dhe përdorej nga familjarë të administratorit të saj, të cilët janë marrë në pyetje nga SPAK dhe kanë dhënë shpjegime për përdorimin e makinës. Megjithatë, edhe pse makina është zbardhur, katër personat që e përdorën atë për rrëmbimin e biznesmenit mbeten ende “fantazma”.

Ngjarja ndodhi më 12 gusht 2025, rreth orës 10:30 të mëngjesit, kur Meçe po afrohej te makina e tij. Një mjet me fenelina policie iu afrua dhe një nga autorët, i veshur me uniformë blu dhe jelek me mbishkrim zyrtar, e thirri me emër, duke u prezantuar si pjesë e strukturave ligjzbatuese. Biznesmeni u mor peng për disa orë, ndërsa më pas dorëzoi në SPAK dëshminë dhe pamjet filmike që fiksuan çdo moment të rrëmbimit.

Në dhjetor 2025, SPAK arrestoi dhe procedoi disa persona për këtë çështje dhe shpalli në kërkim dy biznesmenë të tjerë, por ende nuk ka asnjë përgjigje për katër autorët pa maska që shfaqen qartë në video.

Vonesa e hetimeve dhe mungesa e identifikimit të autorëve ka ngritur pikëpyetje të forta në opinionin publik: si është e mundur që një rrëmbim i filmuar hapur në mes të kryeqytetit të mbetet ende pa autorë dhe kush po i mbron ata?

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related