U shty seanca paraprake për Veliajn – Avokati: Klienti nuk është njohur ende me dosjen

Data

Seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u shty për në datën 12 dhjetor, ora 09:30, pasi mbrojtja refuzoi të paraqiste parashtrimet.

Avokati Artan Gjermeni deklaroi pas seancës se i pandehuri Veliaj nuk është njohur ende me dosjen, duke argumentuar se kjo e bën të pamundur vijimin e procedurës në këtë fazë. Për këtë arsye, ai kërkoi shtyrjen e seancës, e cila u pranua nga gjykata.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt, ndërsa ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë:

  • Pastrim parash
  • Mosdeklarim të pasurisë
  • Korrupsion pasiv në 9 episode
  • Shpërdorim detyre
  • Futje të sendeve të ndaluara në qeli

Ndërkohë, zhvillimet gjyqësore lidhur me pozicionin e tij institucional kanë qenë të vazhdueshme. Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Veliajt, duke e lënë në detyrë si kryebashkiak dhe duke shfuqizuar vendimin e qeverisë për shkarkimin, si edhe dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.

Më 27 nëntor, Veliaj i është rikthyer sërish Kushtetueses, kësaj here duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për masën “arrest me burg”.

Seanca e radhës pritet të përcaktojë nëse gjykata do të kalojë çështjen për gjykim apo do të vendosë ndonjë masë tjetër procedurale, pasi palët të jenë njohur plotësisht me materialet hetimore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related