Të paktën nëntë spitale janë dëmtuar rëndë në Iran gjatë bombardimeve që kanë hyrë në ditën e tretë, raportojnë mediat iraniane.
Deputeti Mohammed Beigi deklaroi se objektet shëndetësore janë goditur nga sulmet, duke i cilësuar ato si shkelje të hapur të ligjeve ndërkombëtare. “Duke sulmuar spitalet, janë shkelur ligjet ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Sipas Beigi, pesë persona humbën jetën në një sulm në një zonë të quajtur “Rruga Iran” në Tehran. Ai shtoi se bombardimet kanë dëmtuar rëndë edhe zona banimi, duke i bërë disa shtëpi të pabanueshme dhe duke rrafshuar ndërtesa të tëra.
Operacioni ushtarak i koordinuar nga SHBA-të dhe Izraeli ndaj Iranit ka përshkallëzuar ndjeshëm situatën në rajon. Pas goditjeve fillestare, Teherani dhe aleatët e tij kanë reaguar me sulme hakmarrëse, ndërsa përplasja ushtarake po thellohet nga dita në ditë.
