Në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, disa qytetarë të Tiranës në Kamëz, kryesisht të moshuar, kanë dalë në protestë, ku kërkojnë uljen e çmimit të biletës së linjës së transportit urban, e cila është rritur me 10 lekë që nga data 1 nëntor.
Sipas gazetares Ortensa Budlla raportohet se rritja e biletës, ka pasur ndryshime edhe në çmimin e abonimeve mujore, ku qytetarët kërkojnë që bileta të kthehet në çmimin që ka qenë dhe të jetë falas për pensionistët.
“Ka ndikuar shumë rritja e biletës, nuk e përballojmë dot. Të ardhurat tona janë 500-600 mijë lekë. Kjo linjë përdoret çdo ditë për hallet e njeriut. Ka ndikuar shumë kjo pjesë. 10 lekë ndikon shumë, nuk është e arritshme të bëhet. Tani do të firmos peticionin”,-tha një qytetare.
Nga ana tjetër foli dhe një pensionist lidhur me çështjen.
“Çmimi i biletës ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për të lëvizur me urban, paguaj 50 lekë për të shkuar në Tiranë. Nuk e përballojmë dot pasi me 100 mijë lekë pension jemi. Nuk e di çfarë po bëhet,” -është shprehur një pensionist.
Ndërkohë, sipas raportimeve, ka pasur edhe përplasje me policinë bashkiake të Kamzës, e cila ka tentuar të largojë të gjithë personat që po mblidhnin firma për plotësimin e peticionit.
