Një konflikt mes dy adoleshentëve në pedonalen e qytetit të Ersekë ka degjeneruar në përleshje fizike, duke lënë të plagosur një 18-vjeçar.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, kur një 17-vjeçar nga fshati Gostivisht, Kolonjë, dyshohet se ka goditur me sende të forta shtetasin me inicialet E.Q., 18 vjeç, banues në Ersekë. I riu i plagosur është dërguar për mjekim në spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj të miturit për veprime të mëtejshme.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe dinamikës së konfliktit.
