Shkarkim apo dorëheqje? Kryepolici i Shkodrës shuan zërat: Jam në detyrë, derisa të vijë…

Data

Edmond Sulaj, kryepolici i Shkodrës ka reaguar për gazetarin Elton Qyno, duke shuar zërat për një dorëheqje të tij apo shkarkim nga posti i Drejtorit të Qarkut Shkodër. Pas ngjarjes së rëndë me 4 viktima të ndodhur në 30 Tetor 2024 në Dobraç, qarkulluan informacione se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Pronda, kishte shkarkuar kryepolicin e Shkodrës, Edmond Sulaj.

Por në fakt vetë ky i fundit gjatë një bisede me gazetarin Qyno, konfirmoi se vijon të jetë në krye të detyrës duke shërbyer deri në ditët kur të përfundojë procedura e konkurrimit për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Policisë së Shkodrës.

“Jam në detyrë dhe nuk më ka shkarkuar askush dhe nuk kam dhënë dorëheqjen time. Unë nuk kam konkurruar për Drejtor Policie, kështu që derisa të përfundojë konkursi “Ti vlen”, do vijoj të qëndroj deri në mbërritjen e drejtorit të ri që do zgjidhet nga konkursi”, është shprehur kryepolici i Shkodrës, Edmond Sulaj.

Pak muaj më parë kryepolici i Shkodrës u bë target i sulmeve politike në parlament për shkak të disa bisedave në “Sky” të zhvilluara nga biznesmeni Pëllumb Gjoka me shefin e sektorit të vrasjeve në Policinë e Shkodrës, Ardrit Hasanbegaj.

Imazhi dhe reputacioni i policisë së Shkodrës u trondit shumë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në 30 Tetor 2024, ku pas një atentati të mirë organizuar nga një skuadër qitësish, mbetën të vrarë 4 persona si Hamza Lici, i cili është vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati, i cili është djali i Xhemal Bushatit dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha. Për këtë ngjarje ende dhe sot nuk ka asnjë person të identifikuar dhe arrestuar. Ndërsa banorët e Shkodrës ndihen të frikësuar për një përshkallëzim të mëtejshëm të ngjarjeve kriminale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related