Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit një supermarket në zonën e Kryebushatit, në Bashkinë Vau-Dejës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer rreth orës 01:00 pas mesnate dhe janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientin e subjektit tregtar. Intensiteti i zjarrit ka qenë i lartë, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen e disa mjeteve zjarrfikëse nga Shkodra, Vau-Dejës dhe Lezha.
Forcat zjarrfikëse kanë punuar për disa orë me radhë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e flakëve në objektet përreth. Si pasojë, supermarketi është shkrumbuar pothuajse plotësisht, ndërsa dëmet materiale raportohen të jenë shumë të mëdha.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, pasi në momentin e rënies së zjarrit objekti ka qenë i mbyllur dhe brenda nuk ndodheshin punonjës apo qytetarë.
Policia bën me dije se shkaqet e zjarrit janë ende në verifikim, megjithatë dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
“Rreth orëve të para të mëngjesit, në vendin e quajtur Kryebushat, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht një subjekt tregtar ‘supermarket’. Nga zjarri nuk ka pasur shtetas të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit”, njofton policia.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.
