Ishte tetori i vitit 2018 kur qeveria e Kryeministrit Edi Rama deklaroi në një konferencë për turizmin se në harkun kohor të pesë viteve ia kishte dalë të dyfishonte të ardhurat nga turizmi falë rritjes së vizitorëve.
“Kemi kaluar nga 3.4 në mbi 6 milionë vizitorë […] me një reflektim domethënës dhe në punësim […] me mbi 30 mijë të punësuar në funksion të sezonit,” – do të shprehej Kryeministri duke treguar me krenari arritjen e kuotës 2 miliardë euro të ardhura.
Pesë vite më vonë, Shqipëria do të shënonte një tjetër “rekord”, ku sipas shifrave të dhëna do t’i kalonte 10 milionë turistë të huaj.
“[…] Bashkë me Krishtlindjen kaloi edhe numri 10.000.000 i turistëve të huaj në Shqipëri, një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë!”, shkruante Rama më 26 dhjetor 2023.
Në një kohë kur për 2024 objektivi i parashikuar ishte 15 milionë turistë, shifrat nuk lënë hapësirë për të qenë optimist, pasi nga janari në shtator kanë hyrë 9.7 milionë turistë të huaj.
